Rama për median greke: Dorëheqja mund të kërkohet, por jo të imponohet me dhunë

Kryeministri Edi Rama, në intervistën për median greke “Kathimerini”, shprehet se do të vijojë detyrën, pavarësisht protestave të dhunshme të zhvilluara në Tiranë gjatë javëve të fundit.

Ai u shpreh se kërkesa për dorëheqjen e tij është pjesë e demokracisë, por nuk mund të imponohet përmes dhunës.

Të lidhura

None found

“Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë”, tha Rama.

Duke folur për situatën politike dhe protestat në kryeqytet, kryeministri dalloi studentët që kërkojnë një të ardhme më të mirë nga ata që, sipas tij, përdorin dhunën për synime politike.

Ai përmendi në veçanti protestuesit me fytyra të mbuluara dhe pretendoi se mes tyre ka persona të lidhur me lëvizjen Antifa.

“Një pakicë mendon se t’i vërë flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, u shpreh kreu i qeverisë, duke kritikuar përpjekjet për të ardhur në pushtet përmes përshkallëzimit të dhunës.

Intervista:

Kathimerini: Çfarë përgjigjeje u jepni kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës?

Kryeministri Edi Rama:

Nuk kam thënë asnjëherë se në Shqipëri gjithçka është bërë siç duhet. Po ashtu, nuk pres që të rinjtë të mjaftohen me atë që kemi arritur deri tani.

Shqetësimet për arsimin, shpenzimet e jetesës dhe mungesën e mundësive konkrete janë të drejta dhe duhen trajtuar në thelb.

Buxheti për vitin 2027, që do të paraqitet së shpejti, parashikon mbështetje të mëtejshme për familjet, shërbimet publike dhe studentët.

Kam ftuar studentët dhe pedagogët të zhvillojnë një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, edhe kur vjen nga kritikët tanë më të ashpër.

Por duhet bërë dallim mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve me fytyra të mbuluara. Mes këtyre të fundit, sipas meje, ka edhe individë të lidhur me lëvizjen Antifa, të cilët hedhin bomba molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe dëmtojnë prona private.

Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë, jo e personave që përdorin dhunën dhe pretendojnë se flasin në emër të një brezi të tërë.

Kathimerini: A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?

Kryeministri Edi Rama:

Jo. Në demokraci, qeveritë ndërrohen përmes zgjedhjeve, jo me bomba molotov.

Vitin e kaluar, populli shqiptar na dha një mandat të qartë dhe kam ndërmend ta përmbush.

Çdokush ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen time, sepse kjo është pjesë e jetës demokratike. Por askush nuk mund ta imponojë atë me dhunë.

Detyra ime është të dëgjoj shqetësimet e bazuara, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vijoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nuk do të heq dorë nga kjo përgjegjësi vetëm sepse një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.


Shtuar më 27.10.2026 09:46