Maqedonci: 209 rekrutë i janë bashkuar stërvitjes bazë ushtarake në FSK

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se 209 rekrutë të rinj kanë nisur sot trajnimin ushtarak bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas tij, fillimi i kësaj faze të përgatitjes vjen vetëm pak ditë pasi 515 të rinj dhe të reja u betuan solemnisht dhe u bënë pjesë e FSK-së.

Të lidhura

None found

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se rekrutët e rinj do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme ushtarake, të cilat më pas do t’i vënë në shërbim të mbrojtjes së vendit.

Ai theksoi se rekrutimi i vazhdueshëm, arsimimi dhe trajnimet ushtarake u ofrojnë të rinjve mundësi për zhvillim profesional dhe për të kontribuar në sigurinë e Kosovës.

Maqedonci nënvizoi gjithashtu se investimet nuk janë të përqendruara vetëm te armatimi dhe pajisjet moderne, por edhe te përgatitja e personelit ushtarak, duke e cilësuar atë si bazën e një force profesionale dhe të gatshme për sfidat e së ardhmes.

Ministri u ka uruar sukses të gjithë rekrutëve gjatë rrugëtimit të tyre në karrierën ushtarake.


Shtuar më 26.10.2026 19:58