Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, kërkoi dorëheqje dhe shkarkime, duke e cilësuar një reagim të tillë si përgjegjësi institucionale dhe veprim etik përballë ngjarjes që ka tronditur qytetarët e Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Tahiri deklaroi se rasti i Arlindës nuk duhet parë si një ngjarje e veçuar. Sipas tij, bëhet fjalë për një fenomen shqetësues, i cili kërkon reflektim dhe marrjen e përgjegjësive nga institucionet.
Të lidhura
None found
“Vrasja e Arlindës është pa dyshim një tragjedi që ka tronditur të gjithë, por nuk përbën një rast të izoluar. Për fat të keq, ky po shndërrohet në një fenomen që na detyron në Kosovë të reflektojmë dhe, mbi të gjitha, të kërkojmë përgjegjësi”, u shpreh Tahiri.
Deputeti theksoi se dënimi publik i ngjarjes dhe shprehja e ngushëllimeve nuk mjaftojnë. Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë.
“Përballë një ngjarjeje që u ka shkaktuar dhimbje të gjithë qytetarëve të Kosovës, sot do të duhej të kishte dorëheqje dhe shkarkim, si një veprim etik”, deklaroi Tahiri.
Tahiri shtoi se dhuna ndaj grave nuk duhet trajtuar vetëm si një rast i izoluar apo thjesht në kuadër të femicidit, por edhe përmes përgjegjësisë që mbajnë institucionet.







