Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar shortin për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë dhe auditorëve të autorizuar që do të kryejnë auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike, të dorëzuara në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).
Sipas njoftimit të KQZ-së, shorti u mbajt në prani të përfaqësuesve të subjekteve të ndryshme politike dhe përcaktoi se cilat subjekte do të kontrollohen nga secili operator ekonomik apo auditor i autorizuar.
Të lidhura
None found
Në total, auditimit do t’i nënshtrohen 169 raporte financiare: 52 raporte vjetore financiare të partive politike për vitin 2025; 93 raporte mbi deklarimin financiar të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, të zhvilluara në tetor/nëntor 2025; si dhe 24 raporte të deklarimit financiar të fushatës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura në dhjetor 2025.
KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se, për të garantuar më shumë transparencë, raportet janë publikuar në uebfaqen e këtij institucioni. Pas përfundimit të auditimit, ato do të publikohen sërish së bashku me gjetjet e evidentuara.





