Osmani kërkon që dhuna në familje të ndëshkohet njësoj si terrorizmi

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe masa më të rrepta kundër dhunës ndaj grave.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Osmani theksoi se një shoqëri nuk mund të pretendojë se është e lirë kur njëra gjysmë e saj jeton nën frikë dhe liria e saj varet nga rrethanat.

Të lidhura

None found

“Nuk mund të flasim për liri kur liria e gjysmës së shoqërisë kufizohet nga frika që përjeton gjysma tjetër. Shteti nuk duhet të sillet si spektator”, deklaroi ajo.

Sipas Osmanit, Kuvendi duhet ta dëshmojë përgjegjësinë e tij duke kërkuar llogari nga të gjithë zyrtarët që nuk i përmbushin detyrat, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake.

Ajo u shpreh se dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore duhet të kenë dënime të barasvlershme me ato për terrorizmin, pasi gratë e dhunuara përballen çdo ditë me një gjendje terrori.

Osmani i cilësoi si shumë të buta dënimet që parashikohen aktualisht për këto vepra. Ajo kritikoi gjithashtu gjykatat për mosdhënien e dënimeve dhe paralajmëroi se një qasje e tillë mund të ndikojë në vazhdimin e dhunës.

“Dënimet që zbatohen sot janë aq të lehta sa mund ta nxisin dhunën, ndërsa në shumë raste as këto masa nuk vendosen nga gjykatat tona”, tha Osmani.


Shtuar më 26.10.2026 17:36