Mitrovicë, A.S.-së i zgjatet edhe për dy muaj paraburgimi për vrasjen e 37-vjeçarit

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur t’ia zgjasë edhe për dy muaj paraburgimin A.S., i dyshuar për vrasjen e një 37-vjeçari dhe plagosjen me thikë të një personi tjetër në Lagjen e Romëve.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj, e cila bëri të ditur se masa e sigurisë është vazhduar për një periudhë të re dymujore.

Të lidhura

None found

“Paraburgimi, të pandehurit A.S., i llogaritet prej datës 25.10.2026 deri më datë 25.12.2026”, ka deklaruar Haxhaj.

Rasti ishte raportuar më 27 maj, pasi policia ishte njoftuar nga Spitali Rajonal i Mitrovicës së Jugut se një person me plagë të rënda të shkaktuara nga një mjet i mprehtë ishte dërguar për trajtim.

37-vjeçari nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve dhe kishte ndërruar jetë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Në të njëjtin incident ishte lënduar edhe një person tjetër, i cili, pas marrjes së ndihmës së parë në Mitrovicë, ishte dërguar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.

Në bazë të të dhënave të bëra publike atëkohë, personi i plagosur ndodhej jashtë rrezikut për jetën.

Pas sulmit, policia kishte arrestuar A.S.-në, ndërsa gjatë veprimeve hetimore kishte sekuestruar edhe thikën që dyshohet se ishte përdorur në kryerjen e veprës.


Shtuar më 26.10.2026 17:35