Hoxha: Letra e Arlindës, e cila nuk mund të flasë më, ngre përgjegjësinë e të gjithëve

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, shprehu turpin e saj për shtetin që nuk arriti ta mbronte Arlinda Zekajn, e vrarë mizorisht mbrëmë, vetëm tre ditë pasi ajo kishte njoftuar institucionet për rrezikun dhe u kishte kërkuar mbrojtje.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Hoxha deklaroi se në këtë rast nuk mjaftojnë më as ngushëllimet.

Të lidhura

None found

Ajo kërkoi që, përtej dënimit të krimit dhe deklaratave në Kuvend, të zhvillohet një hetim i plotë e transparent për çdo neglizhencë dhe mosveprim institucional që mund të ketë ndikuar në tragjedi.

Deputetja theksoi se Arlinda nuk ka më mundësi të flasë, por mesazhi i lënë prej saj vazhdon të dëgjohet.

Sipas Hoxhës, frika dhe shpresa e fundit e viktimës vendosin përballë përgjegjësisë të gjithë ata që kishin detyrimin të mbronin jetën e saj.

“Kjo ditë është pasqyra jonë”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se ajo pasqyron jo vetëm institucionet, por edhe përgjegjësinë morale të shoqërisë.