Drenica ka zgjedhur Gentjan Mezanin për të drejtuar skuadrën, duke i besuar atij postin e trajnerit për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi nga Skenderaj bëri të ditur se ka arritur marrëveshje me trajnerin e ri, i cili tashmë do të jetë në krye të shtabit teknik dhe do të punojë për përmbushjen e objektivave të ekipit.
Të lidhura
None found
Emërimi i Mezanit u konfirmua përmes një njoftimi zyrtar, ku Drenica i uroi mirëseardhje trajnerit të ri dhe suksese në detyrën e tij.
“FC Drenica njofton opinionin publik se ka arritur marrëveshje me trajnerin Gentjan Mezani, i cili do të jetë në krye të shtabit teknik të skuadrës sonë”, thuhet në komunikatën e klubit.
“Klubi i uron mirëseardhje trajnerit Mezani, duke i dëshiruar shumë suksese në drejtimin e ekipit dhe në përmbushjen e objektivave sportive të klubit”, vijon njoftimi.
Mezani merr drejtimin e kuqezinjve vetëm një ditë pasi Drenica dhe Jeton Mehm eti i dhanë fund bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje të dyanshme.
Ndryshimi i trajnerit vjen në një moment të vështirë për skuadrën, e cila në katër takimet e fundit nuk ka arritur të fitojë, duke marrë dy barazime dhe duke pësuar dy humbje.
Pas 11 javësh në Superligën e Kosovës, Drenica zë vendin e shtatë me 11 pikë. Bilanci i saj përbëhet nga dy fitore, pesë barazime dhe katër humbje.
Trajneri i ri do të nisë punën për përgatitjen e ekipit dhe për zbatimin e ideve të tij në fushë, ndërsa në klub shpresojnë që ardhja e tij të sjellë një shtysë të re dhe rezultate më të mira në ndeshjet e ardhshme.





