Ramush Haradinaj shkon në shtëpinë e Hashim Thaçit: Besoj në pafajësinë e tij

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lënë mënjanë ndasitë politike dhe ka vendosur të vizitojë familjen e Hashim Thaçit, i cili ndodhet në Hagë i akuzuar për krime lufte.

Haradinaj ka publikuar një foto ku shihet se u ka dhënë prindërve të Thaçit medaljen ‘’Me besim në zot, atdhe e shtet’’ për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Krah fotos ai shkruan se beson në luftën e UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe të Hashim Thaçit.

STATUSI I PLOTË:

Sot kisha nderin që me bashkëpunëtorë, ta vizitoj familjen e Haxhi dhe Hyre Thaçit, prindërit e Presidentit Hashim Thaçi. Njëherësh për ta kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.

Themeli i lirisë dhe Shtetit të Kosovës është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari. Luftë më të drejtë, më të pastër e më fisnike, për çlirim nga pushtimi i egër millosheviqian, nuk do të njohë asnjëherë njerëzimi.

Përtej dallimeve politike, unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës sonë dhe pafajësinë e të gjithë bashkëluftëtarëve, në këtë rrafsh edhe të Hashim Thaçit!


Shtuar 18.08.2021 21:58