Shehu: Presidentja Shiroka-Pula duhet të sjellë rezultate, Kosova nuk mund të presë edhe një dekadë

Funksionalizimi i institucioneve të Kosovës pas një periudhe të gjatë ngërçi politik është një zhvillim i mirëpritur, por ai nuk mund të konsiderohet sukses më vete, vlerëson Arianit Shehu, drejtor ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).

Të lidhura

None found

Në shkrimin e tij autorial, të titulluar “Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: 10 prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula”, Shehu rendit 10 çështje që, sipas tij, duhet të udhëheqin mandatin e presidentes së re.

Ai thekson se Justina Shiroka-Pula duhet ta përdorë përfundimin e krizës institucionale si një mundësi për konsolidimin e shtetit, rivendosjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përshpejtimin e rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.

Shehu paralajmëron se pritjet pozitive të qytetarëve mund të shuhen shpejt nëse institucionet nuk japin rezultate të prekshme në ekonomi, siguri dhe integrim ndërkombëtar.

“Funksionalizimi i institucioneve nuk është sukses në vetvete, por vetëm parakushti për suksesin e vërtetë: përmirësimin e jetës së qytetarëve, forcimin e shtetit dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik”, shkruan ai.

Sipas drejtorit ekzekutiv të ACCET, Kosova vijon të jetë pas vendeve të tjera të rajonit sa i përket zhvillimit ekonomik dhe proceseve të integrimit.

Duke iu referuar parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2026, Shehu bën të ditur se produkti i brendshëm bruto për frymë në Kosovë, i llogaritur sipas fuqisë blerëse, arrin vetëm rreth 27 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian.

Edhe pse nuk e drejton Qeverinë, presidentja e re mund të ndikojë në përcaktimin e drejtimit strategjik të vendit, përmes kompetencave që i jep Kushtetuta dhe aftësisë për të ndërtuar konsensus politik, vlerëson Shehu.


Shtuar më 12.10.2026 08:59