Dinamo pati një zotërim të lartë të topit, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 0-1 përballë Vllaznisë. Në përfundim të takimit, trajneri i skuadrës kryeqytetase, Ilir Daja, analizoi para mediave arsyet e disfatës.
Të lidhura
None found
“Nuk arritëm ta interpretonim siç duhet strategjinë e Vllaznisë, e cila u vendos në gjysmëfushën e saj. Na dëmtuan edhe veprimet e numrave 8 të ekipit tonë. Pas 5-6 ditësh kemi ndeshjen e radhës.
Kur përballesh me një kundërshtar që mbrohet në 1/3 e fushës, goditjet janë një prej mënyrave për të gjetur golin. Vllaznia tregoi më shumë luftë se ne. Në një fushë të mirë dhe me lagështirë, nevojitet edhe sakrificë. Golat shënohen edhe përmes sakrificës.
Nuk bëmë aq sa duhej me sulmuesit dhe me numrat 8 për të çrregulluar ekuilibrin e Vllaznisë. Malomo dhe Vila duhej të afroheshin më shumë me Berishën dhe Rubenit, në mënyrë që të kërkonin thellësinë dhe të shfrytëzonin numrat 8.
Kalimi në krahë përmes mbrojtësve anësorë duhej të shoqërohej me mbushjen e zonave, por këtë nuk e realizuam. Në momentet kur mbrojtja kundërshtare qëndronte e tërhequr, njëri prej sulmuesve duhej të merrte rolin e numrit 10 për të prishur vendosjen e tyre.
Do të më kënaqte një fitore e arritur me sakrificë, sidomos tani që terrenet janë të vështira, edhe pse për këtë ndeshje thashë se fusha ishte e mirë.”




