Papa Leone XIV ka njoftuar se në ditët e ardhshme do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, pasi gjatë kontrolleve të fundit mjekësore është zbuluar një gjëndër e lokalizuar, e evidentuar në një fazë shumë të hershme.
Të lidhura
None found
Ati i Shenjtë e bëri publik lajmin gjatë lutjes së së dielës, Angelus, duke iu drejtuar besimtarëve nga dritarja e Pallatit Apostolik në Vatikan, përballë të pranishmëve në sheshin e Shën Pjetrit.
Sipas shpjegimit të Papës, formacioni është i kufizuar mirë dhe mjekët kanë vlerësuar se duhet hequr përmes një operacioni. Ai tha se ka vendosur të ndjekë këshillat e tyre dhe se ndërhyrja do të kryhet së shpejti.
Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna të tjera lidhur me diagnozën e Leone XIV apo me procedurën kirurgjikale që do të realizohet.
Gjatë fjalës së tij, Papa përcolli gjithashtu një mesazh për rëndësinë e të bërit mirë, edhe në rastet kur veprimet e mira nuk kuptohen apo vlerësohen nga të tjerët.
Ai nënvizoi se mirësia që njerëzit ofrojnë mund të keqinterpretohet ose të refuzohet, por kjo, sipas tij, nuk duhet të bëhet shkak për dekurajim.
Leone XIV theksoi se gëzimi i përcjellë nga Kisha nuk është i shtirur, por i thellë, konkret dhe i vërtetë. Ai lidhet me jetën e përditshme, punën, buzëqeshjet, lotët, shtrëngimet e duarve dhe gjestet e mirësisë.
Në përfundim, Ati i Shenjtë e cilësoi këtë gëzim si një dhuratë të Zotit për shpëtimin e botës.





