Policia e Tiranës ka përgatitur një plan të posaçëm masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë derbit mes “Partizanit” dhe “KF Tiranës”, që zhvillohet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Në kuadër të organizimit të aktivitetit dhe parandalimit të incidenteve, autoritetet kanë përcaktuar kufizime për qarkullimin e automjeteve, si dhe rrugët që do të ndjekin tifozët e dy skuadrave.
Të lidhura
None found
Bllokimi i segmenteve rrugore do të nisë në orën 16:00 dhe do të vijojë deri në përfundim të ndeshjes.
Sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i bllokuar, së bashku me rrugët “Lekë Dukagjini” dhe “Dervish Hima”, si edhe zonat dytësore përreth stadiumit “Arena Kombëtare”.
Tifozët e Partizanit, të cilët do të vendosen në Tribunën N, do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”. Më pas, itinerari do të vijojë te “Libri Universitar”, anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin” dhe drejt sektorit përkatës.
Mbështetësit e KF Tiranës, të akomoduar në Tribunal V–S, do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, do të kalojnë te ish-Hoteli “Dajti” dhe Ura e Dajtit, për të vijuar më pas drejt ETC-së. Rruga do të vazhdojë në rrugën e Elbasanit, në rrugën “Dervish Hima”, e më tej drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari” dhe “Ambasador 3”.
Policia bën të ditur se nuk do të tolerohen grumbullimet apo daljet nga itineraret e miratuara. Në hyrje të stadiumit do të kryhen kontrolle të imtësishme për të penguar futjen e sendeve të kundërligjshme, përfshirë sendet e forta, bidonët e ujit, çadrat, çelësat metalikë dhe lëndët piroteknike.
Çdo tifoz duhet të paraqesë dokument identifikimi, pasi pa të nuk do të lejohet të hyjë në stadium. Fëmijët nën 16 vjeç, edhe nëse kanë biletë, duhet të shoqërohen detyrimisht nga njëri prej prindërve ose nga kujdestari ligjor.
Ndërkohë, hyrja do t’u ndalohet në mënyrë kategorike personave që policia i ka identifikuar më herët si problematikë gjatë aktiviteteve sportive.







