Marrëveshja e Donald Trump me Vladimir Putin për naftën ruse ka acaruar marrëdhëniet e presidentit amerikan me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Të lidhura
None found
Pas kritikave të Zelenskyt ndaj marrëveshjes me Rusinë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se kishte ardhur koha që Ukraina të kishte një president të ri.
Sipas presidentit ukrainas, një marrëveshje e re që do të lejonte nxjerrjen e miliona tonëve naftë ruse në SHBA dhe në tregjet botërore do t’i jepte Moskës të ardhura për të vijuar luftën në Ukrainë. Ai e cilësoi këtë një dhuratë të Trump për presidentin rus, Vladimir Putin.
Ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Trump akuzoi Zelenskyn se “dëshiron t’i krijojë probleme botës”, pasi vazhdon të autorizojë sulme kundër rafinerive ruse.
“Më mirë të ndalet”, tha Trump. Më pas, ai sugjeroi që Ukraina të kishte “një udhëheqës të ri, që mund të bëjë një marrëveshje”.
Trump shtoi se Zelensky “mund të kishte bërë shumë marrëveshje dhe për ndonjë arsye, nuk i bën kurrë”.
Të premten, presidenti amerikan konfirmoi arritjen e një marrëveshjeje me Moskën për pezullimin, deri më 7 prill, të sanksioneve ndaj eksporteve ruse të naftës.
Në Miami, delegacioni i presidentit Zelensky u takua me përfaqësues të Trump për bisedime që pritej të përqendroheshin te mënyrat për ta bindur Rusinë t’i jepte fund luftës. Takimi u ndërpre pasi pala ukrainase mësoi për marrëveshjen e naftës mes Trump dhe Putin.
Gjatë bisedimeve, Witkoff dhe Kushner e njoftuan gjithashtu Kievin se inteligjenca amerikane do të ndërpriste shkëmbimin e informacionit me inteligjencën ukrainase nëse Ukraina vazhdonte bombardimet e rafinerive ruse.
Pas njoftimit të marrëveshjes Trump-Putin, një zyrtar ukrainas deklaroi se “sulmet do të vazhdojnë”. Delegacioni ukrainas vendosi të kthehej në vend dhe të anulonte raundin e dytë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, të planifikuar për të shtunën e 10 tetorit.






