Serbia nuk do të përfshihet në listën e vendeve që do të marrin një udhërrëfyes orientues për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Komisioni Evropian pritet të publikojë në fund të tetorit udhërrëfyes për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat konsiderohen si vendet që kanë bërë përparimin më të madh drejt anëtarësimit.
Mospërfshirja e Serbisë tregon zyrtarisht se Beogradi nuk e ka më rolin udhëheqës që dikur mbante mes vendeve kandidate për integrim në BE.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Serbia duhet të plotësojë kushte të tjera dhe se pas zgjedhjeve do të vlerësohet nëse qeveria e saj do të kufizohet vetëm te deklaratat për anëtarësimin në BE apo do të ndërmarrë veprime konkrete.
Strahinja Subotiç, nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane në Beograd, e sheh mungesën e udhërrëfyesit si një sinjal të fortë paralajmërues dhe si dëshmi se Serbia po mbetet prapa në rrugën e integrimit evropian.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se ngecja nuk lidhet vetëm me faktin që Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit prej vitesh dhe nuk mund të përfitojë nga fondet e Planit të Rritjes.
Sipas Subotiçit, mesazhi i fundit nënkupton se Serbia rrezikon të humbasë edhe përfitime të tjera të rëndësishme që lidhen me anëtarësimin gradual në Bashkimin Evropian.
Udhërrëfyesit do të jenë pjesë e paketës së zgjerimit, të cilën Komisioni Evropian planifikon ta miratojë më 28 tetor. Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat për anëtarësim në BE që nga dhjetori i vitit 2021.
Paralelisht, situata në fushën e sundimit të ligjit është përkeqësuar, duke e bërë edhe më të vështirë kapërcimin e bllokimit disavjeçar të Serbisë në procesin evropian.
Ekspertët vlerësojnë se, nëse vazhdon me këtë qasje, Serbia mund të mbetet në të njëjtin pozicion, në fund të listës së vendeve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.







