Një burrë pësoi plagë të rënda pasi hyri në zonën e rrethuar ku mbahej një tigër në një park zoologjik në Angli.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në parkun e kafshëve të egra Yorkshire Wildlife Park, pranë Doncasterit, raportoi Daily Mail. Vizitorët u përfshinë nga paniku dhe u larguan me urgjencë nga parku. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e burrit.
Të lidhura
None found
Raportimet bëjnë me dije se burri ishte në gjendje të rënduar emocionale kur hyri në hapësirën e tigrit. Kafsha e sulmoi dhe i shkaktoi dëmtime serioze.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, burri shihet i veshur me bluzë të zezë, i gjunjëzuar dhe me krahët e hapur. Tigri i afrohet nga pas, e kafshon në shpinë dhe e rrëzon. Sulmi vijon, ndërsa kafsha qëndron më pas mbi të. Në regjistrim dëgjohen disa thirrje të burrit: “Ndal!”.
Pas incidentit, në park shkuan forca të shumta policie, dy ambulanca dhe një helikopter mjekësor. Vizitorët u evakuuan dhe aktiviteti i parkut u ndërpre përkohësisht.
Për ta trembur tigrin dhe për ta larguar nga i plagosuri, punonjësit e parkut përdorën fishekë të posaçëm me gaz.
Dëshmitarët thanë se dëgjuan deri në pesë të shtëna, duke krijuar fillimisht paqartësi për fatin e kafshës. Policia konfirmoi më vonë se tigri kishte qëndruar brenda hapësirës së rrethuar.
Vizitorëve iu kërkua të largoheshin menjëherë. Dominic Ford, i cili ishte në park me mbesën e tij katërvjeçare, tregoi se punonjësit e udhëzuan të dilnin nga ambientet.
Ford tha se stafi ruajti qetësinë, ndonëse situata ishte serioze. Ai konfirmoi se në vendngjarje mbërritën një helikopter mjekësor, një ambulancë dhe shumë efektivë policie.







