LSH kërkon ndalimin e dhunës policore ndaj shqiptarëve në Shkup dhe përgjegjësi penale e politike

Lidhja Shqiptare ka reaguar pas dhunës së pretenduar nga pjesëtarë të policisë ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup, duke theksuar se, sipas informacioneve të saj, ky nuk është një rast i veçuar dhe as incidenti i parë i këtij lloji.

Të lidhura

None found

Sipas LSH-së, sjellja e policëve përbën represion të aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve dhe ngjan me periudhën e Gruevskit, kur në Shkup shqiptarët e pafajshëm përballeshin me dhunë nga policia dhe huliganët maqedonas.

Lidhja Shqiptare vlerëson se çështja nuk duhet të mbyllet me hetime apo masa disiplinore ndaj efektivëve. Ajo kërkon që ngjarja të trajtohet si vepër e rëndë penale dhe autorët të marrin dënimin e merituar. Gjithashtu, sipas saj, duhet të ketë përgjegjësi komanduese dhe politike nga drejtuesit e “MVR-VMRO”, si dhe dorëheqje të menjëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

LSH u ka bërë thirrje përfaqësuesve diplomatikë të vendeve evropiane, SHBA-së dhe BE-së që të reagojnë për të parandaluar, siç shprehet ajo, skenarët e errët anti-shqiptarë të këtij pushteti policor.

Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Komitetit të Helsinkut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare u kërkohet të dokumentojnë dhe raportojnë dhunën kriminale të ushtruar nga policia ndaj të rinjve shqiptarë, të cilëve, sipas LSH-së, u janë cenuar edhe të drejtat më themelore, përfshirë të drejtën për jetë dhe shëndet. Për këtë çështje, Lidhja Shqiptare bëri të ditur se u ka dërguar një letër zyrtare përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vend.


Shtuar më 9.10.2026 11:47