Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo, ka folur sërish për të ardhmen. Braziliani që drejtoi për tre vite e gjysmë Kombëtaren e Shqipërisë mendon se është gati që të rikthehet në futbollin e klubeve.
Prioritet për Silvinjon mbetet Europa, megjithatë nuk i mbyll derën eksperiencave të tjera. Intervista ndërkohë është dhënë për “Flashscore”.
Të lidhura
None found
Pas një periudhe kaq të gjatë me një kombëtare, a e shihni veten duke u rikthyer në futbollin e klubeve? Cili është plani për kapitullin e ardhshëm të karrierës?
“Nga ana profesionale dhe personale, ndihem shumë i përgatitur për hapin e radhës. Në stafin tim kam brazilianë, një argjentinas, një italian dhe njerëz të kombësive të tjera, ndaj kemi një grup shumë ndërkombëtar. Me gjuhët që flasim, mund të punojmë në Portugali, Spanjë, Angli, në shumë vende të tjera të Europës, në Amerikën e Jugut, në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.
Jam i qetë, sepse e di që mëson nga gjithçka që përjeton. Jam ende i ri dhe kam shumë gjëra për të mësuar, por jeta më ka dhënë tashmë shumë. Prandaj ndihem i përgatitur për të punuar në Europë, në botën arabe, në Brazil apo edhe në Japoni. Sigurisht, Europa është përparësia. Është Meka e futbollit, vendi ku loja vazhdon të zhvillohet në nivelin më të lartë.
Tani gjithçka ka të bëjë me pritjen e momentit të duhur. Mundësia ideale do të vijë. Është pak a shumë si jeta. Mund të përgatitesh, por duhet gjithashtu të presësh momentin e duhur.
Pra, po, ndihem shumë i përgatitur për të marrë drejtimin e një klubi që ka një projekt të qartë, dëshiron të zhvillohet, dëshiron të ndërtojë diçka dhe ka kushtet për ta bërë këtë. Dhe do të doja ta bëja këtë në Europë”, u shpreh Silvinjo.





