Një sasi e jashtëzakonshme vere luksoze është vjedhur në Toskanë, Itali, ku të paktën shtatë persona kanë marrë rreth 30 mijë shishe, me vlerë të përgjithshme prej 5 milionë eurosh. Objektivi i grabitjes ishte kantina e kompanisë së njohur Marchesi Antinori, e vendosur në zonën e Kortonës, në provincën e Arezzos.
Të lidhura
None found
“Corriere della Sera” dhe “Financial Times” raportojnë se ngjarja mund të renditet ndër vjedhjet më të mëdha të verës të regjistruara ndonjëherë në Itali, nëse merret parasysh vlera e mallit të marrë.
Autorët kanë përzgjedhur shishe të markave të njohura Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të gjitha të prodhimit të vitit 2023. Rreth 10 mijë prej shisheve të grabitura janë të markës Solaia, ndërsa vlera e një shisheje llogaritet nga 120 deri në 300 euro.
Dyshohet se operacioni është kryer gjatë natës së së dielës. Grupi ka ndërhyrë fillimisht në sistemin e alarmit dhe ka çaktivizuar kamerat e sigurisë së kantinës, duke shmangur kështu regjistrimin e lëvizjeve të tij.
Pas kësaj, grabitësit kanë hyrë në kompleks me dy kamionë dhe kanë shfrytëzuar pirunët ngritës në dispozicion të kantinës për të ngarkuar shishet. Mungesa e produktit u konstatua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit nisën turnin e punës.
Renzo Cotarella, administratori i kompanisë, ka deklaruar se autorët duket se kanë pasur një nivel të lartë organizimi. Për këtë arsye, ai dyshon se bëhet fjalë për të njëjtin grup që mund të ketë kryer grabitje edhe në kantina të tjera italiane gjatë muajve të fundit.
Një prej shqetësimeve kryesore lidhet me mënyrën se si do të qarkullojnë shishet e vjedhura. Ato mund t’u ofrohen koleksionistëve privatë apo pronarëve të lokaleve, por volumi i madh dhe çmimi i lartë mund ta bëjnë më të lehtë zbulimin e një shitjeje të tillë.
Rreziku është edhe më i madh për markën Solaia, prodhimi vjetor i së cilës arrin vetëm në rreth 60-70 mijë shishe. Për pasojë, nxjerrja në treg e 10 mijë shisheve jashtë rrjetit zyrtar të shpërndarjes mund të tërheqë menjëherë vëmendje.
Marchesi Antinori ka nisur të kontaktojë klientët në mbarë botën, duke i paralajmëruar për oferta të dyshimta dhe për produkte që nuk shiten përmes kanaleve zyrtare.
Drejtuesit e kompanisë shpresojnë që vera të gjendet, pasi një ngarkesë kaq e madhe, e transportuar me dy kamionë, vështirë se mund të zhduket pa lënë gjurmë.
Ngjarja ka hapur gjithashtu debat mbi mundësinë që një sasi kaq e madhe vere premium të shitet në tregjet ndërkombëtare pa u identifikuar origjina e saj.






