BBC: Ish-gjenerali sirian i akuzuar për krime kundër njerëzimit mbrohet nga SHBA dhe Libani

Një ish-gjeneral sirian, i dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe përfshirje në programin e armëve kimike të regjimit të Bashar al-Assadit, po strehohet në Liban me mbështetje financiare dhe mbrojtje nga autoritetet amerikane e libaneze.

Të lidhura

None found

Ky është përfundimi i një hetimi të përbashkët të BBC-së dhe radios publike amerikane NPR. Sipas tij, Bassam al-Hassan, ish-këshilltar i lartë i Assadit dhe personi që kishte përgjegjësi për programin sirian të armëve kimike, ndodhet në Liban që prej rrëzimit të regjimit në vitin 2024.

Qëndrimi i tij në këtë vend dyshohet se është mundësuar nga një marrëveshje ku janë përfshirë FBI-ja, si dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe Libanit.

Në këmbim të mbrojtjes, dokumenteve që i lejojnë qëndrimin dhe financimit të shpenzimeve të jetesës, Hassan ka rënë dakord të ndajë informacione për rrëmbimin e gazetarit amerikan Austin Tice në Siri në vitin 2012, krahas të dhënave të tjera të inteligjencës.

Një hetim i mëparshëm i BBC-së kishte arritur në përfundimin se rrëmbimi i Tice ishte organizuar paraprakisht dhe se Hassan ishte pjesë e strukturës komanduese që lidhej me këtë operacion.

Burimet e cituara nga investigimi bëjnë të ditur se ish-gjenerali paguhet nga autoritetet amerikane përmes një ndërmjetësi. Kjo mënyrë transferimi e vështirëson identifikimin e pagesave, edhe pse Hassan është nën sanksionet e vendosura nga vetë Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja dyshohet se është lidhur në pranverën e vitit 2025. Megjithatë, persona të angazhuar në hetimet për zhdukjen e Austin Tice thonë se deri tani nuk ka prova të mjaftueshme që bashkëpunimi me Hassan të ketë prodhuar përparim të rëndësishëm në zbardhjen e rastit.

Qeveria e re siriane ka shprehur kërkesën që ish-gjenerali të rikthehet në Damask për t’u përballur me drejtësinë. Sipas saj, autoritetet amerikane po insistojnë që ai të vazhdojë të qëndrojë në Bejrut.

Publikimi i këtyre të dhënave ka shkaktuar reagimin e familjes së Austin Tice. Phil Elwood, zëdhënësi i saj, tha se është e papranueshme që paratë e taksapaguesve amerikanë të përdoren për t’i siguruar një jetë të rehatshme një personi të lidhur me përdorimin e armëve kimike ndaj civilëve sirianë.

“Kjo nuk është asgjë më pak se ndihmë për arratisjen e një krimineli lufte të kërkuar. Sirianët meritojnë drejtësi dhe ai duhet të kthehet për t’u gjykuar”, deklaroi Elwood.


Shtuar më 8.10.2026 18:21