Gjyqtari i Superligës së Kosovës, Lirim Jashari, ka rrëfyer me emocione të forta episodin që e bëri viral gjatë protestës në Prishtinë, ku qytetarët kërkuan votimin e ndryshimeve në Ligjin e Speciales.
Të lidhura
None found
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, Jashari shpjegoi se si ia mori flamurin e UÇK-së një të riu dhe iu afrua pjesëtarëve të Policisë, me synimin t’u tregonte se ndaj kujt po përdorej dhuna.
Sipas tij, ngjarja ndodhi pasi protestuesit u tërhoqën dhe u mblodhën në Sheshin “Skënderbeu”, pas përplasjeve dhe situatës së tensionuar gjatë protestës.
Jashari tha se në atë moment Çlirim Haziri, organizatori i protestës, kishte marrë fjalën për ta mbyllur tubimin, pasi situata ishte përshkallëzuar dhe protestuesit po përballeshin vetëm me sulme nga Policia. Në shesh kishte mbërritur edhe nëna e Hazirit, ndërsa pamja e tij fizike dhe reagimi i saj emocional e kishin tronditur gjyqtarin.
“Ne u rikthyem dhe u grumbulluam te Sheshi ‘Skënderbeu’, pas gjithë asaj që kishte ndodhur. Kur Çlirim Haziri, organizatori ynë, nisi ta përfundonte protestën për shkak të përshkallëzimit të situatës, aty erdhi nëna e tij. Kur pashë gjendjen e Çlirimit dhe mënyrën se si po e përjetonte ajo, u mërzita shumë”, tregoi ai.
Situata, sipas Jasharit, u rëndua edhe më tej kur Policia hodhi gaz lotsjellës në drejtim të turmës.
“Policia filloi të hidhte gaz lotsjellës në mes të njerëzve dhe ne u tërhoqëm prapa. Atëherë pashë një djalë të ri me flamur, Granit Zogjanin, i cili është djali i një dëshmori. U ndala dhe pyeta veten: ndaj kujt po gjuajnë?”, rrëfeu Jashari.
Edhe pse e kuptonte rrezikun, ai vendosi t’ia merrte flamurin të riut dhe të shkonte drejt policëve për t’u treguar se cilët ishin në shënjestër.
“E mendova rrezikun, por vendosa t’ia merrja flamurin atij djali, t’u afrohesha policëve dhe t’u tregoja se ndaj kujt po gjuanin”, tha ai.
Gjatë atij momenti, Jashari u godit dhe pretendon se pësoi lëndim, përfshirë edhe thyerjen e këmbës.
Teksa rikujtoi ngjarjen, gjyqtari i Superligës u përlot. Ai tha se pamja që e kishte prekur më shumë ishte ajo e fëmijëve të dëshmorëve, të cilët po sulmoheshin.
“Më emocionoi shumë kur pashë fëmijët e dëshmorëve duke u sulmuar në atë mënyrë”, u shpreh Jashari mes lotësh./







