Ambasada Gjermane kundërshton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndryshimet që Kuvendi i Kosovës miratoi të martën në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të lidhura

None found

Ndryshimet u votuan pak para mesnatës dhe synojnë të kufizojnë kompetencat e gjykatës me seli në Hagë.

Zëdhënësja e Ambasadës Gjermane, Catalina Heine, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se kjo gjykatë është institucion i pavarur i sistemit gjyqësor të Kosovës dhe se autonomia e saj duhet të mbrohet.

Sipas ambasadës, Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, me synimin për të garantuar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në vend. Për këtë arsye, theksoi ajo, pavarësia e tyre duhet të respektohet në tërësi.

Gjermania bëri të ditur gjithashtu se qëndron në një linjë me Bashkimin Evropian, i cili ka dalë kundër ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi.

BE-ja deklaroi më herët se amendamentet nuk përputhen me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë ndaj këtij blloku.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, i tha REL-it se Kosova duhet të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare për ruajtjen e pavarësisë së Dhomave të Specializuara, si dhe detyrimin për të siguruar llogaridhënie e drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një reagim nga Qeveria e Kosovës për shqetësimet e shprehura nga partnerët ndërkombëtarë, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Përparim Gruda, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila inicioi ndryshimet ligjore, ka deklaruar se Kosova nuk po shkel detyrimet e saj ndërkombëtare.

Me ndryshimet e miratuara kufizohet juridiksioni i Speciales në lidhje me llojin e veprave, periudhën kohore dhe territorin. Po ashtu, dënimi maksimal përcaktohet në 15 vjet, ndërsa parashihet edhe mundësia që rastet ose dënimet të transferohen në Kosovë.

Këto zhvillime pasojnë vendimin e 16 shtatorit, kur gjykata dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të katër të dënuarit i kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë bërë të ditur se do ta apelojnë vendimin.

Dhomat e Specializuara u themeluan mbi bazën juridike të këmbimit të letrave në vitin 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Në kuadër të angazhimeve të marra në atë kohë, Kosova u zotua të konsultohej me Bashkimin Evropian për çdo nismë që do të ndryshonte ligjet me ndikim në mandatin e gjykatës ose në procedurat që lidhen me hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Gjithashtu, Prishtina u zotua të garantonte vijimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përmbylljen e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Edhe pse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, Dhomat e Specializuara kanë selinë në Hagë dhe funksionojnë me gjyqtarë e prokurorë të huaj.

Bashkimi Evropian mbetet financuesi kryesor i këtij institucioni, të cilin që nga themelimi e ka mbështetur me gati 400 milionë euro./REL


Shtuar më 7.10.2026 19:09