Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar brenda 24 orëve në një shkollë të mesme në Stamboll, ku një konflikt mes nxënësve përfundoi me përdorimin e thikës.
Të lidhura
None found
Rasti ndodhi në lagjen Barbaros Hayrettin Pasha të Esenyurtit. Sipas raportimeve të mediave turke, një 16-vjeçar dyshohet se sulmoi dy shokë të klasës, përkatësisht 15 dhe 14 vjeç.
Gjatë përleshjes mbeti i lënduar edhe një nxënës tjetër 14-vjeçar, i cili ndodhej pranë vendit ku shpërtheu sherri dhe pësoi dëmtime të lehta.
Shkak i debatit mes nxënësve të së njëjtës klasë ende nuk është bërë i ditur. Sipas të dhënave paraprake të policisë, konflikti u tensionua brenda pak çastesh dhe 16-vjeçari dyshohet se përdori thikën ndaj dy bashkëmoshatarëve.
Pas njoftimit të autoriteteve, në shkollë mbërritën menjëherë policia dhe ekipet e urgjencës. Të tre të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u dërguan në spital, ku vijojnë të marrin trajtim mjekësor.
I dyshuari 16-vjeçar është marrë nën mbikëqyrjen e policisë. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivin e konfliktit dhe rrethanat e plota të sulmit.
Ngjarja vjen një ditë pas një sulmi tjetër në Stamboll. Të mërkurën në mëngjes, një vajzë 15-vjeçare goditi me thikë tetë nxënës të një shkolle të mesme në Başaksehir, ndërsa një prej vajzave të plagosura, 10 vjeçe, ndërroi jetë disa orë më vonë.







