EURO 2027/ Plotësohet lista e 12 finalistëve, Shqipëria përgatitet për turneun U-21

Janë përcaktuar 12 prej 16 kombëtareve që do të garojnë në fazën finale të UEFA European Under-21 Championship 2027, turne që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.

Të lidhura

None found

Si vend organizator, Shqipëria U-21 e ka të garantuar pjesëmarrjen në këtë kompeticion. Kjo do të jetë hera e parë që kombëtarja shqiptare merr pjesë në fazën finale të një Europiani U-21, duke i dhënë mundësinë të përballet me disa prej ekipeve më të rëndësishme dhe talenteve më premtuese të futbollit europian.

Përveç Shqipërisë dhe Serbisë, biletën për turneun e kanë siguruar edhe Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Polonia, Portugalia dhe Spanja.

Mes skuadrave të kualifikuara spikat Anglia, kampione në fuqi e Europës, e cila ka triumfuar në dy edicionet e fundit. Në listë bëjnë pjesë gjithashtu Gjermania, Italia dhe Spanja, përfaqësuese me një histori të pasur në këtë turne.

Katër ekipet e tjera që do të plotësojnë fazën finale do të dalin nga ndeshjet play-off, të programuara për muajin nëntor. Shorti i këtij raundi do të hidhet këtë të premte. Në play-off janë kualifikuar Çekia, Danimarka, Finlanda, Greqia, Islanda, Holanda, Irlanda dhe Turqia.

Për futbollin shqiptar, organizimi i këtij Europiani përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e ekipeve të moshave, ndërsa vendi do të ketë mundësinë të presë kombëtaret dhe lojtarët më të spikatur të Europës U-21.


Shtuar më 7.10.2026 15:54