Gjatë një deklarate për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur edhe te vizita e tij në uzinat e “KAYO”.
Berisha tha se kreu i qeverisë po shfaq mbështetje për struktura dhe individë ndaj të cilëve opozita ka ngritur më herët dyshime.
Të lidhura
None found
Sipas tij, Parlamenti është kthyer në mburojë të qeverisë dhe po miraton ligje që u shërbejnë interesave të kryeministrit, në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë.
Berisha akuzoi gjithashtu kompaninë e lidhur, sipas tij, me biznesmenin Rony Yeffet se ka përfituar 45 milionë euro.
Ai kërkoi nga organet e hetimit të verifikojnë telefonatat që Yeffet dyshohet se ka kryer me Edi Ramën gjatë operacionit të BKH-së, si edhe komunikimet e tjera të pretenduara me Linda Ramën.
Kreu i PD-së tha se qeveria ka lidhje me persona dhe çështje që opozita i konsideron të dyshimta. Ai përmendi Mirlindën dhe Lindën, Ergys Agasin, Vlora Hysenin, Rony Yeffet, Arjetën dhe Ardi Veliun, duke pretenduar se këta persona janë shërbëtorë të Edi Ramës dhe përsëriti kërkesën për hetim të veprimeve të qeverisë.
“Parlamenti është kthyer në zëdhënës të interesave kriminale të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, si dhe në mburojë të vjedhjeve më të mëdha të tij dhe të ‘Lubi’ Ballukut. Ai ka vendosur terrin dhe errësirën për qytetarët shqiptarë, duke votuar ligje në shërbim të interesave të ngushta të Edi Ramës dhe deputetëve të skllavëruar ndaj tij. Barometri i urrejtjes popullore ndaj Ramës po arrin nivele të larta. Vetëm revolta mund t’i shpëtojë shqiptarët nga narkoshteti i Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se Rama është shndërruar në avokat publik të hapur të bandës kriminale në AKSH, të personave të përmendur prej tij dhe tashmë edhe të Rony Yeffet, Arjetës, autoblindave dhe Ardi Veliut.
Sipas Berishës, kryeministri kishte vizituar garazhet e Arjetës, ku pretendohet se blihen makina me paratë e shtetit dhe më pas i shiten sërish shtetit.
“45 milionë euro ka marrë kompania e Ramës me Ron Yeffet. Kur ekipi i BKH-së hyri në banesën e Yeffet, ai telefonoi hapur katër herë Edi Ramën. I bëj thirrje hetimit që ta verifikojë atë telefon. Sipas të njëjtit burim, ai ka telefonuar edhe tri herë të tjera Linda Ramën”, u shpreh ai.
