Ekspertët kushtetues vlerësojnë se Kuvendi do të shpërndahet në mënyrë automatike nëse deri në orën 00:00 të 6 tetorit 2026 nuk zgjidhet njëra prej dy kandidateve për presidente.
Të lidhura
None found
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), deklaroi për Radion Evropa e Lirë se përcaktuese nuk është koha kur ka nisur procedura, por respektimi i afatit kushtetues për përmbylljen e saj.
“Çdo emërim pas datës 6 tetor është kundërkushtetues. Sipas nenit 82 të Kushtetutës, dështimi për zgjedhjen e presidentes deri më 6 tetor sjell shpërndarjen e Kuvendit”, u shpreh Miftaraj.
Ai shtoi se, në rast se paraqitet një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e zgjedhjes së presidentes pas përfundimit të afatit.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili tha se përfundimi i afatit 60-ditor e çon automatikisht Kuvendin drejt shpërndarjes.
“Afati përfundon në orën 00:00. Pas këtij momenti, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë, pasi mbyllet periudha 60-ditore”, deklaroi Bugaqku.
