Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër dhe i akuzuar i tretë në çështjen “Lotaria”, pritet ta përfundojë më 13 tetor masën e arrestit shtëpiak.
Të lidhura
None found
Për të siguruar se nuk do të arratiset dhe për të mundësuar kthimin e pasaportës, Grubi ka vendosur si garanci shumën prej 335 mijë eurosh.
Ai ndodhet në arrest shtëpie që prej 23 shkurtit të këtij viti, pasi u dorëzua vullnetarisht në pikën kufitare Bllacë, pas afro 15 muajsh në arrati.
Masa ndaj tij u vendos në bazë të raporteve të shërbimeve inteligjente, të cilat vlerësonin se siguria e tij dhe e familjes së tij ishte e rrezikuar.
Në rastin “Lotaria”, Grubi akuzohet se ka drejtuar mbledhjen e Qeverisë në ditën kur u miratua vendimi për riorganizimin e industrisë së lojërave të fatit.
Fillimisht, ndaj tij ishte lëshuar fletarrest për “mashtrim në shërbim”, ndërsa më vonë vepra u rikualifikua si “shpërdorim i detyrës zyrtare”.
Gjatë procesit gjyqësor, Grubi ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për akuzën e ngritur. Sipas tij, pika për të cilën po ndiqet penalisht ishte miratuar unanimisht nga Qeveria dhe kishte marrë më herët edhe pëlqimin e Ministrisë së Financave.
Prokuroria e vlerëson dëmin ndaj buxhetit në gati 10 milionë euro. Ndërkohë, një muaj më parë, organeve të ndjekjes penale iu dorëzua edhe i akuzuari i parë në këtë çështje, Përparim Bajrami.
