Anëtari i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, ka reaguar pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke akuzuar PDK-në se kishte synuar ta rrethonte institucionin për t’i imponuar deputetët të votonin ndryshimet në ligjin për Specialen dhe për ta çuar vendin në zgjedhje.
Të lidhura
None found
Sipas Krasniqit, protesta ishte e planifikuar dhe nuk ndodhi rastësisht. Ai ka deklaruar se situata mund të kishte përfunduar edhe me viktima, ndërsa Policia e Kosovës konfirmoi se kishte ndërhyrë për të garantuar rendin dhe sigurinë në hapësirën përreth Kuvendit.
Krasniqi e ka cilësuar situatën si një “kurth” të PDK-së, duke pretenduar se kjo parti prej ditësh ishte përpjekur të krijonte përshtypjen e një qasjeje konstruktive, ndërsa qëllimi i saj, sipas tij, ishte bllokimi i Kuvendit dhe detyrimi i deputetëve për të votuar ligjin e më pas për të shkuar në zgjedhje, si në kohën e Hashimit.
Ai ka thënë se plani nuk funksionoi, pasi, sipas tij, përpjekja për ta realizuar atë përmes veteranëve falsë dhe personave të paguar dështoi. Krasniqi ka shtuar se ndërhyrja e policisë dhe krijimi i një korridori për deputetët e pengoi realizimin e këtij qëllimi.
Anëtari i Vetëvendosjes ka këmbëngulur se asnjë nga veprimet e asaj dite nuk ishte i rastësishëm dhe ka shprehur bindjen se organizatorët kishin llogaritur edhe mundësinë e viktimave. Në përfundim, ai ka deklaruar se dështuan si plani, ashtu edhe “kurthi” i PDK-së.
