Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk lidhen vetëm me një forcë politike apo me mandatet e disa qeverive, por me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai tha se krijimi i Dhomave të Specializuara kishte qenë një vendim i vështirë. Sipas Hamzës, deputetët që e votuan atë ishin të bindur se akuzat për trafikim organesh nuk do të konfirmoheshin.
Hamza e cilësoi si çështje më vete atë që ai e përshkroi si “devijim” të gjykatës nga përmbajtja e vendimit të miratuar në Kuvend.
Veçanërisht, ai shprehu kundërshtim ndaj gjetjeve që lidhen me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte “e drejtë, e pastër, luftë e popullit të Kosovës”.
“Nuk kërkojmë mungesën e drejtësisë dhe as shmangien e gjykimit të krimeve. Nuk po kërkojmë mbylljen e gjykatës. Kërkesa jonë është mbikëqyrja, si dhe zbatimi i ligjeve dhe i Kushtetutës së Kosovës”, u shpreh Hamza.
