Zvicra do të luajë të martën kundër Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e katërt të saj në Ligën e Kombeve.
Të lidhura
None found
Para kësaj përballjeje, trajneri Murat Yakin dhe futbollisti Zeki Amdouni u paraqitën në një konferencë për media, ku folën për mundësitë e ekipit zviceran dhe analizuan kundërshtarin.
Synimi i përfaqësueses zvicerane është fitorja ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa ekipi kërkon të shfaqë përmirësime në fushë, duke pasur parasysh rëndësinë e qëndrimit në Ligën A.
Gjatë konferencës, Yakin dhe Amadouni u ndalën gjithashtu te lojtarët shqiptarë që janë pjesë e kombëtares së Zvicrës.
Sa i përket Ardon Jasharit, Yakin deklaroi se mesfushori ka cilësitë dhe besimin e nevojshëm për të lënë gjurmë në këtë takim, raportoi Blick, transmeton Telegrafi.
Trajneri zviceran shtoi se Jashari po përballet me konkurrencë të madhe te Milani, por tani ka fituar mundësinë të luajë me përfaqësuesen. Yakin theksoi gjithashtu se është i lumtur që ai është pjesë e ekipit.
Amadouni u pyet nëse mungesa e Xhakës ka bërë që ai të humbasë një figurë si një vëlla i madh. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Nuk ka vëlla të madh, ne vetëm sigurohemi që të shkojmë mirë me njëri-tjetrin”.
Ai shpjegoi se pjesëtarët e brezit të tij kanë marrëdhënie të mira, kalojnë kohë të çmuar së bashku dhe qeshin shumë. Sipas Amadounit, kjo mund të lidhet edhe me faktin se në skuadër ka shumë futbollistë zviceranë që flasin frëngjisht.
Në fund, Amadouni bëri të ditur se interesi për ndeshjen është i madh. Deri tani janë shitur 15.000 bileta, ndërsa stadiumi ka kapacitet prej 16.000 vendesh.
