Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka ndarë në rrjetin social “X” një shkrim të autorit Mark Gojcaj.
Të lidhura
None found
Sipas parashikimit të Gojcajt, Serbia mund të angazhojë miliona dollarë dhe të përdorë lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 25 tetor në Serbi.
Ai thekson se presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, e ka tashmë mbështetjen e Rusisë dhe të presidentit Vladimir Putin.
“Vladimir Putin ka deklaruar publikisht se kush shpreson të qeverisë Serbinë pas 25 tetorit. Tani Beogradi po kërkon nga Uashingtoni pjesën tjetër të panoramës. Mark Gojcaj, nga redaksia jonë në Uashington, shpjegon se çfarë po ofron Beogradi në këmbim: dy intervista në të cilat lavdërohet Presidenti Trump, të dyja të rishpërndara në “Truth Social” dhe të përcjella sërish si lajme në Beograd, 3.2 milionë dollarë të paguara për lobistë në Uashington dhe premtimin për turmën më të madhe që Trumpi ka parë ndonjëherë. Rafineria vazhdon të jetë e Gazpromit. Logjistika e ushtrisë kineze ndodhet brenda strukturave të ushtrisë serbe”, shkruan Kryeziu, duke cituar analizën e Gojcajt të publikuar në “The Kosovo Dispatch”.
Mark Gojcaj, autor dhe analist i “The Kosovo Dispatch” në New York, merret me shkrime për politikën e jashtme amerikane, NATO-n dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
“Ne po e publikojmë këtë shkrim pasi argumenti i tij bazohet në fakte dhe në ngjarje që kanë ndodhur realisht. Përfundimi i tij është i njohur për çdo negociator: në një marrëveshje, pagesa merret përpara fotografisë. Në një mashtrim, vetë fotografia është pagesa”, thuhet në shkrim.
Kadri Kryeziu është ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe doktor i shkencave juridike.
Gjatë viteve 2007–2008, ai ka qenë pjesë e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
