Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj tij, të cilat kishin nisur rreth dy vite më parë.
Sipas Aliut, gjatë procedurës janë verifikuar edhe pasuria e tij dhe ajo e familjes, si dhe të hyrat e krijuara ndër vite. Ai theksoi se këto të ardhura dhe pasuri ishin deklaruar rregullisht që nga fillimi i vitit 2011 dhe në vazhdimësi deri më sot, edhe pas marrjes së detyrës së re.
Të lidhura
None found
Aliu deklaroi se gjatë gjithë kësaj kohe është përballur me akuza, shpifje dhe fyerje të rënda, të drejtuara ndaj tij, familjes së tij dhe idealit kombëtar që, siç tha, është përpjekur ta jetojë me modesti.
Megjithatë, ai zgjodhi të mos reagojë ndaj sulmeve dhe e priti me qetësi zhvillimin e hetimeve, duke thënë se ishte i gatshëm të përballej me të vërtetën.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, ish-deputeti tha se vendimin për pushimin e hetimeve e kishte marrë nga avokati i tij. Vendimi, sipas tij, është marrë më 11 shtator dhe i është komunikuar në mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.
Ai shtoi se çështja ishte shoqëruar gjatë dy viteve me spekulime të shumta mediatike dhe se, pavarësisht përfundimit të saj, mund të vijojë të jetë objekt i sulmeve dhe shpifjeve.
Aliu tha se në një kohë kur lajmet e rreme përhapen lehtësisht, mbetet i gatshëm të përballet me të vërtetën. Në fund, ai falënderoi të gjithë ata që i kishin besuar.
