Gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, së bashku me zyrtarët doganorë dhe policorë, kanë zbuluar 50 mijë euro të padeklaruara.
Të lidhura
None found
Paratë u gjetën në bagazhin personal të drejtuesit të një autobusi të linjës Itali–Kosovë, gjatë kontrollit të detajuar të mjetit. Shuma nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se neni 33, paragrafi 1, i Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit i detyron personat që hyjnë ose dalin nga Kosova dhe mbajnë 10 mijë euro ose më shumë, apo shumën ekuivalente në valutë të huaj, ta deklarojnë atë me shkrim te zyrtarët doganorë.
Në deklarim duhet të shënohen si shuma e parave, ashtu edhe burimi i tyre i verifikueshëm.
Institucioni doganor ka theksuar se do të vijojë zbatimin e legjislacionit dhe masat për parandalimin e kalimit të mjeteve monetare të padeklaruara përtej kufirit.
