Greqia po rimerr 48 relike historike që u dërguan në Sofje në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore. Për vite me radhë, ato janë mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar të Bullgarisë, ku një pjesë ishin të ekspozuara dhe të tjerat ruheshin në koleksion.
Të lidhura
None found
Reliket e kanë origjinën nga tri institucione kishtare në Greqinë Veriore: Manastiri i Shenjtë i Panagia Eikosifoinissa, Manastiri i Shenjtë i Timios Prodromos të Serres dhe Mitropolia e Shenjtë e Serres dhe Nigritis.

Protokollet për dorëzimin dhe marrjen reciproke të relikeve historike dhe materialeve antropologjike mes Greqisë dhe Bullgarisë u nënshkruan të shtunën në mëngjes, gjatë një ceremonie në Selanik. Në të morën pjesë Kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe homologu i tij bullgar, Rumen Radev, ndërsa firmat në protokolle i hodhën ministrat e Kulturës, Lina Mendoni dhe Eftim Milosev.

Në fjalën e tij, Mitsotakis deklaroi se monumentet kulturore nuk duhen trajtuar si “plaçka lufte”. Sipas tij, marrëveshja ka një domethënie që shkon përtej një shkëmbimi të thjeshtë kulturor. Ai shprehu besimin se bashkëpunimi greko-bullgar do të vijojë dhe do t’i hapë rrugë kthimit të relikeve të tjera historike në vendet e tyre të origjinës.


Pas mbërritjes në Greqi, 48 reliket do të shfaqen për publikun në një ekspozitë në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 5 nëntor. Më pas, ato do t’u dorëzohen institucioneve nga kanë ardhur: Manastireve të Shenjta të Timios Prodromos të Serres dhe Panagia Eikosifoinissa, si edhe Mitropolisë së Shenjtë të Serres dhe Nigritis.
