Administrata e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” ka ndërmarrë masa konkrete për të kufizuar hyrjen e automjeteve motorike në zonat e mbrojtura malore. Në pjesë të caktuara janë vendosur gardhe dhe barriera, me qëllim pengimin e qarkullimit në territoret ku kjo veprimtari nuk lejohet.
Të lidhura
None found
Vendimi vjen pasi thirrjet e mëparshme drejtuar pronarëve të katërçikletave, motoçikletave dhe mjeteve të tjera motorike, që të qëndrojnë vetëm në shtigjet e përcaktuara dhe të mos hyjnë në zonat rreptësisht të mbrojtura, nuk sollën rezultatet e pritura.
Sipas NP Parku Kombëtar “Mali Sharr”, rojet e parkut kanë bllokuar disa rrugë të paautorizuara në zonën e Jellakut dhe në Kodrën e Diellit, për të mundësuar një kontroll më efikas. Disa prej këtyre hyrjeve ishin mbyllur më herët edhe me mjete mekanike nga Armata e RMV-së, ndërsa ndërhyrjet e fundit synojnë të ndalojnë lëvizjet e palejuara. Qarkullimi jashtë rrugëve të lejuara dëmton tokën dhe kullotat malore, shqetëson kafshët e egra, krijon vështirësi për blegtorët dhe kopetë e tyre, si dhe ndikon te bjeshkatarët dhe vizitorët që shkojnë në mal për të shijuar qetësinë dhe sigurinë e natyrës.
