Ambasadori Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.
Biseda u zhvillua në një klimë të tensionuar mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, pas mosmarrëveshjeve lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe refuzimit të tryezës së propozuar nga kryeministri Edi Rama për trajtimin e kësaj çështjeje.
Të lidhura
None found
Sipas Prezencës së OSBE-së, pjesëmarrësit diskutuan zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë dhe pasojat e tyre për funksionimin e institucioneve, respektimin e të drejtave të individit dhe garantimin e standardeve të një procesi të drejtë gjyqësor.
Gjatë takimit u nënvizua nevoja për përfshirjen reale të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë përkatës, në diskutimet mbi çështje që prekin funksionimin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës.
Takimi i OSBE-së zhvillohet ndërsa debati për pagat është shoqëruar me bojkotime në sistemin e drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në përputhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, Prezenca e OSBE-së ka përcjellë rëndësinë e dialogut gjithëpërfshirës, garantimit të funksionimit të institucioneve të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
