Ministria e Financave ka bërë të ditur se është njoftuar nga Prokuroria për refuzimin e kallëzimit penal të paraqitur nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të cilët pretendonin se buxheti komunal ishte bllokuar nga kjo ministri.
Të lidhura
None found
Sipas Ministrisë së Financave, vendimi i Prokurorisë tregon se akuzat e ngritura nga zyrtarët e Prishtinës nuk qëndronin dhe se veprimet e stafit të saj ishin në përputhje me dispozitat ligjore.
“Ministria e Financave ka pranuar njoftimin nga Prokuroria se është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, me pretendimin e pabazë se Ministria e Financave kishte bllokuar buxhetin e komunës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Institucioni ka rikujtuar se Komuna e Prishtinës e kishte dorëzuar me vonesë buxhetin për vitin 2025. Dokumenti ishte përcjellë disa muaj pas përfundimit të afatit ligjor dhe pasi Kuvendi kishte miratuar Ligjin e Buxhetit.
“Kjo vonesë e Komunës kishte rezultuar në mos-përfshirje të buxhetit komunal në Ligjin e Buxhetit, gjë që kishte pamundësuar alokimin dhe shfrytëzimin e plotë të buxhetit komunal në këtë rast”, ka deklaruar Ministria e Financave.
Ministria ka thënë se drejtuesit e Komunës së Prishtinës kishin akuzuar stafin e saj për “gjoja bllokim të qëllimshëm të buxhetit” dhe, mbi këtë bazë, kishin dorëzuar kallëzim penal.
“Ministria e Financave mirëpret epilogun e kësaj çështjeje që vërteton se akuzat ndaj stafit të Ministrisë ishin të pabaza, dhe njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin që të vazhdojë punën profesionale”, thuhet në njoftim.
Murati: Buxheti nuk u bllokua
Pas njoftimit të Prokurorisë ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook.
“Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Komunës së Prishtinës për gjoja bllokim të buxhetit në vitin e kaluar”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, tashmë është konfirmuar se Ministria e Financave nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për bllokimin e buxhetit.
