Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka vënë në pah se teknologjitë e hapura dhe ngritja e kapaciteteve lokale janë thelbësore për të ardhmen digjitale të Kosovës.
Në fjalën e tij gjatë hapjes së edicionit të 11-të të Software Freedom Kosova, të organizuar nga FLOSSK, Jagxhiu u shpreh se transformimi digjital i vendit duhet të përqendrohet te zgjerimi i shërbimeve elektronike, modernizimi i infrastrukturës qeveritare, kalimi në cloud, ndërveprueshmëria e sistemeve dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
Të lidhura
None found
Sipas ministrit, zgjedhjet teknologjike të institucioneve nuk duhet të krijojnë varësi afatgjata, ndërsa standardet e hapura, bartshmëria e të dhënave dhe teknologjitë open source janë të rëndësishme për ruajtjen e fleksibilitetit teknologjik.
Për sa i përket inteligjencës artificiale, Jagxhiu theksoi se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te vendi ku ruhen të dhënat, por edhe te infrastruktura mbi të cilën funksionojnë modelet dhe aplikacionet.
Sovraniteti digjital, shtoi ai, kërkon gjithashtu investim te njerëzit dhe dija, përmes mbështetjes për universitetet, startup-et, kompanitë teknologjike, institucionet publike dhe komunitetet teknologjike.
Ai vlerësoi kontributin e FLOSSK-ut në zhvillimin e një kulture ku teknologjia jo vetëm që përdoret, por edhe kuptohet, zhvillohet dhe përmirësohet.
“Transformimi digjital nuk matet vetëm me numrin e shërbimeve që digjitalizohen, por edhe me mënyrën se si ndërtohen ato dhe me kontrollin që ruhet mbi të ardhmen digjitale të Kosovës”, u shpreh Jagxhiu.
