Gjatë seancave gjyqësore për vrasjen e modeles dhe influencueses 28-vjeçare Abby Choi, e cila humbi jetën në shkurt të vitit 2023, janë zbardhur të dhëna të reja tronditëse.
Të lidhura
None found
Prokuroria i tha Gjykatës së Lartë të Hong Kongut se krimi dyshohet të jetë organizuar disa ditë më herët nga disa të afërm të ish-bashkëshortit të viktimës.
Sipas akuzës, të dyshuarit morën me qira një banesë në një fshat të zonës Tai Po dhe siguruan paraprakisht mjete që, sipas prokurorëve, do të shërbenin për eliminimin e gjurmëve. Në mesin e pajisjeve të gjetura ishte edhe një makinë grirëse mishi, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur për copëtimin e trupit.
Për vrasjen akuzohen ish-bashkëshorti i Abby Choi, Alex Kwong, babai i tij Kau Kwong dhe vëllai Anthony Kwong. Të tre kanë deklaruar se nuk janë fajtorë.
Prokurorët pretendojnë se më 21 shkurt 2023, Abby Choi u fut në një makinë pasi iu tha se do të shkonte të merrte vajzën e saj nga shkolla. Dëshmitë e paraqitura në gjykatë sugjerojnë se gjatë udhëtimit ajo mund të jetë goditur në kokë me çekiç.
Më pas, sipas versionit të akuzës, trupi i saj u transportua në banesën e marrë me qira, ku dyshohet se u copëtua dhe u përdorën mjete të ndryshme për të fshehur provat.
Shkak i mundshëm i krimit konsiderohet një mosmarrëveshje financiare mes viktimës dhe familjes së ish-bashkëshortit. Konflikti lidhej dyshohet me pronësinë e një apartamenti luksoz, vlera e të cilit arrinte rreth 60 milionë dollarë hongkongas, ose afërsisht 7.6 milionë dollarë amerikanë.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa tre të akuzuarit vazhdojnë të mohojnë përfshirjen në vrasje.
