Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, e cila është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00.
Kërkesa e Këshillit Bashkiak, për lejimin e pranisë së Veliajt është refuzuar nga SPAK-u. Këshilli kishte kërkuar që kryebashkiaku të ishte fizikisht i pranishëm në mbledhje ose, nëse kjo nuk do të ishte e mundur, të merrte pjesë përmes videokonferencës.
Të lidhura
None found
Kërkesa i ishte përcjellë SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke pasur parasysh se Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim.
Sipas informacionit të bërë publik, vendimi për të mos e lejuar pjesëmarrjen është mbështetur në dispozitat e ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i cili përcakton rregullat për trajtimin dhe të drejtat e personave në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përkatëse.
Këshilli Bashkiak, kishte argumentuar se prania e Veliajt ishte e nevojshme për diskutimin dhe shqyrtimin e çështjeve që lidhen me funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme, është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në kërkesën e tij, Këshilli Bashkiak iu referua gjithashtu vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë në mbledhjet e Këshillit lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e përgjegjësive të tij institucionale.
