Pas reshjeve intensive që kanë sjellë përmbytje të shumta, autoritetet e Bangkokut kanë vendosur gjendje katastrofe në të gjitha 50 distriktet e kryeqytetit të Tajlandës.
Vendimi u mor pasi, që nga e enjtja, në qytet janë regjistruar rreth 300 milimetra reshje. Sipas Guvernatorit të Bangkokut, Sangchart Sittiphun, shpallja e gjendjes së katastrofës u jep autoriteteve vendore mundësinë të ndërmarrin masa emergjente.
Të lidhura
None found
“Niveli i ujit nuk ka pushuar së rrituri. Tani është e vështirë të dalësh jashtë. Më ka arritur deri në bel”, deklaroi për AFP-në Somkind Pheu-ngam, një 67-vjeçar që shet pranë qendrës së qytetit.
Ai tregoi se prej dy ditësh nuk ka mundur të largohet nga banesa. “Nuk mund të shkoj askund. Kam qenë i mbyllur për dy ditë”, tha Pheu-ngam, duke shtuar se një situatë të tillë në Bangkok nuk e kishte përjetuar prej 15 vitesh.
Reshjet e pandërprera, të nisura pasditen e së enjtes, kanë mbuluar rrugët me ujë dhe kanë rritur ndjeshëm nivelin e kanaleve të qytetit. Përmbytjet kanë depërtuar edhe në ndërtesa të shumta të ndërtuara pranë tyre.
Guvernatori bëri të ditur se zonat lindore të Bangkokut janë goditur më rëndë nga përmbytjet.
“Shiu vazhdon dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi. Po përpiqemi të nxjerrim ujin, por kanalet janë plot”, u shpreh ai para gazetarëve.
Ndërkohë, pacientëve që trajtohen në banesat e tyre dhe kanë nevojë për furnizime jetike mjekësore, guvernatori u kërkoi të shqyrtojnë mundësinë e shtrimit dhe qëndrimit të përkohshëm në spital.
Përmbytjet e vitit 2011 në të gjithë Tajlandën shkaktuan më shumë se 500 viktima dhe dëmtuan miliona banesa.
