Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që procesi gjyqësor për Masakrën e Mejës të zhvillohet pa praninë e 53 të akuzuarve, shumica e të cilëve janë ish-pjesëtarë të strukturave ushtarake dhe të sigurisë serbe. Ata akuzohen për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë dhe dëbimin e popullsisë gjatë luftës në Kosovë.
Të lidhura
None found
Vendimi u mor në seancën fillestare të përsëritur, ku asnjë prej të pandehurve nuk ishte i pranishëm në sallë. Rasti lidhet me krimet e kryera në prill të vitit 1999 në Mejë dhe në fshatrat përreth, të cilat konsiderohen ndër ngjarjet më të rënda të luftës.
Sipas gjyqtares së çështjes, përkundër fletarrestimeve dhe përpjekjeve të ndërmarra, nuk u bë e mundur sigurimi i pranisë së të akuzuarve. “Në rastin konkret janë bërë përpjekje të arsyeshme për të njoftuar të akuzuarit e lartë cekur për shqyrtimin fillestar dhe siguruar praninë e tyre. Anaj Gjykata konfrom nenit 303 paragrafi 4 KPP merr aktvendim, mbahet gjykimi në mungesë ndaj të pandehurëve të lartëcekur pasi gjykata vlersuar kushtet ligjore nga neni 303 7 dhe 8 i Koditë të procedurës penale”, tha Violeta Namani-Hajra, gjyqtare në Gjykatën Themelore.
Ky vendim erdhi pas kërkesës së Gjykatës së Apelit, e cila kishte kërkuar verifikimin e veprimeve të ndërmarra për sigurimin e të pandehurve. Prokuroria Speciale vlerëson se kushtet ligjore për vazhdimin e procedurës në mungesë janë plotësuar.
“Ne qëndrojmë pranë elaborimit të dhënë në seancën e kaluar, sa i përket rolit të Prokurorisë ne konsiderojmë që janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, deklaroi Ilir Morina, prokuror për Krime Lufte në PSRK.
Aktakuza i atribuon një strukture të përbashkët kriminale serbe organizimin dhe zbatimin e operacionit. Vetëm në Mejë u vranë 270 civilë të paarmatosur, ndërsa qindra të tjerë u ekzekutuan në fshatrat përreth. Me qëllim të fshehjes së krimeve, shumë prej trupave u dërguan në Serbi, ku vite më vonë u zbuluan në varrezat masive të Batajnicës.
Mbrojtjes i është caktuar një afat prej 30 ditësh për të kundërshtuar provat. Megjithatë, për familjet e viktimave drejtësia mbetet e vonuar për më shumë se dy dekada, ndërsa 13 persona të vrarë në këtë masakër ende rezultojnë të pagjetur.
