Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, po rikthehen në qendër të vëmendjes pamjet që dokumentojnë momentet kur anëtarët e grupit të drejtuar nga Milan Radoiçiq sulmojnë Policinë e Kosovës.
Në incizimet e regjistruara gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023, shihen pjesëtarë të armatosur të grupit teksa përdorin armatim të rëndë në përballjen me forcat e Policisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një nga sekuencat, vërehet gjithashtu përdorimi i armës antitank të tipit “Zola” kundër pozicioneve të Policisë së Kosovës.
Pamjet e publikuara nga dita e sulmit dëshmojnë nivelin e armatimit me të cilin grupi hyri në Banjskë dhe intensitetin e përballjes me Policinë e Kosovës.
Sulmi në Banjskë filloi në orët e para të 24 shtatorit 2023, kur një grup i armatosur goditi pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në këtë sulm humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku dhe një tjetër polic mbeti i plagosur.
Pas përplasjeve që pasuan, tre anëtarë të grupit të armatosur serb u vranë dhe pjesa tjetër u tërhoq nga zona.
Milan Radoiçiq, i cili në atë kohë mbante postin e nënkryetarit të Listës Serbe, pranoi publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm.
Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për rastin Banjska, duke e cilësuar Radoiçiqin si një nga figurat kryesore të grupit të akuzuar.
Tre vjet pas sulmit, Radoiçiq vijon të qëndrojë në Serbi, ku ndaj tij ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë për ngjarjen e 24 shtatorit 2023.
