Data 24 shtator ka një domethënie të thellë për familjen e dëshmorit Afrim Bunjaku, e cila e kujton me krenari dhe trishtim të madh policin që humbi jetën në krye të detyrës për mbrojtjen e vendit.
Të lidhura
None found
Megjithatë, sivjet përvjetori shoqërohet nga një ndjeshmëri tjetër, pasi të afërmit ushqenin shpresën se në këtë ditë simbolike pranë tyre do të ndodheshin edhe ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u ndëshkuan së fundmi nga Dhoma e Specializuar në Hagë.
Për ta, krenaria për flijimin e Afrimit mbetet e lartë, por dhimbjes së humbjes i është bashkuar tashmë edhe një ndijim i thellë padrejtësie, të cilin e lidhin drejtpërdrejt me aktgjykimin e fundit të kësaj gjykate.
Arton Bunjaku, nip i dëshmorit, shpjegoi se çdo vit kjo datë përjetohet me emocione kontradiktore.
“Si familje, çdo herë në këtë përvjetor ndjejmë dhembje, por edhe krenari, sepse Afrimi nuk dha jetën vetëm për vete, por për Kosovën, dha gjënë më të çmuar. Por këtë vit emocionet janë më të përziera, pasi prisnim që çlirimtarët tanë të ishin mes nesh,” u shpreh ai.
Bunjaku e cilësoi si të padrejtë procesin gjyqësor në Hagë dhe shtoi besimin se drejtuesit e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm dhe do të rikthehen së shpejti në atdhe.
“Ne sapo i shoqëruam tre djemtë e prijësve të luftës, heronjtë e Kosovës. Ishim aq krenarë, por njëkohësisht ndiejmë dhembje, sepse drejtësia nuk po vendoset dhe sakrifica e tyre po mohohet. Si popull kemi qenë gjithmonë të shtypur dhe kjo u duk qartë në gjykimin e fundit në Hagë. Është një gjykim i padrejtë dhe shpresojmë që shumë shpejt të lirohen e të kthehen në vendlindje. Ata janë çlirimtarë, heronj të gjallë. I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë hapa e t’i lirojë sa më parë, ndërsa agresorët që qarkullojnë lirisht në Serbi t’i nxjerrë para përgjegjësisë dhe t’i dënojë siç e meritojnë. U bëj thirrje gjithashtu të gjitha ambasadave të ndjekin nga afër gjendjen në Kosovë, sepse UÇK-ja nuk është vetëm një organizatë – UÇK është gjithë populli. Të gjithë ne jemi UÇK,” deklaroi ai.
Ai nënvizoi se flijimi i atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës nuk guxon të harrohet dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar.
“Liria e Kosovës dhe mundi i bijve e bijave tona, të cilët dhanë gjithçka për të, nuk mund të zhvlerësohen. Prandaj i ftoj të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar dhe t’i përcjellin një mesazh të qartë faktorit ndërkombëtar, që të jemi të barabartë dhe të mos na mohohen të drejtat tona,” theksoi Bunjaku.
Rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, pas një sulmi terrorist serb të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, që kishte në shënjestër Policinë e Kosovës.
