Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën më 24 shtator 2023 gjatë përleshjeve me një grup të armatosur.
Në një deklaratë të saj, misioni diplomatik britanik ka vlerësuar lart guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës në përballjen me sulmuesit dhe në rivendosjen e rendit dhe sigurisë në zonë.
Të lidhura
None found
“Në trevjetorin e sulmit tragjik në Banjskë, ne kujtojmë zyrtarin policor të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës për vendin e tij”, theksohet në reagimin e Ambasadës.
Ambasada gjithashtu, ka mirëpritur punën e vijueshme të prokurorëve kosovarë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të ndjekur penalisht të dyshuarit, duke nënvizuar nevojën për vendosjen e përgjegjësisë.
Sipas Ambasadës britanike, individët përgjegjës për sulmin, mes tyre Milan Radoiçiq, ende nuk janë përballur me sistemin e drejtësisë.
“Ne ritheksojmë thirrjen tonë drejtuar autoriteteve serbe që të marrin masat e duhura për të garantuar që autorët të mbajnë përgjegjësi, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023 dhe mori jetën e policit Afrim Bunjaku, duke shkaktuar përleshje të armatosura mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur në pjesën veriore të vendit.
