Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) ka mbyllur kontrollin e jashtëzakonshëm në spitalet e përgjithshme të Ohrit dhe Strugës, si dhe në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, lidhur me rastin e pacientes LJ.Sh. nga Ohri, e cila e humbi foshnjën para se të arrinte në fund të shtatzënisë.
Të lidhura
None found
Kërkesa për të verifikuar veprimet e gjinekologut që e kishte ndjekur pacienten, si dhe trajtimin e saj në një institucion privat shëndetësor, erdhi nga ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ministri Klekovski njoftoi sot se raporti i inspektimit përfshin veprimtarinë e spitaleve të përgjithshme në Ohër dhe Strugë, si dhe të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, gjatë harkut kohor nga muaji maj deri në shtator.
“Inspektimi u realizua dhe unë kërkova që të shqyrtohej puna e mjekut gjinekolog para se pacientja të shtrohej në spitalin e Ohrit. Ka një deklaratë se në atë periudhë ajo ishte paraqitur edhe në një institucion privat shëndetësor, ndaj kërkova të hetohet se çfarë trajtimi mori atje, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë. Ashtu si në rastin e kaluar, dëshiroj të vendos kontakte me pacienten, sepse kjo nuk duhet të bëhet përmes mediave. Bëj thirrje për pak durim. Deri nesër do ta përfundojmë raportin si për mjekun amë, ashtu edhe për institucionin privat shëndetësor”, deklaroi Klekovski.
Sa i përket rastit të pacientes S.M., ministri bëri të ditur se mbikëqyrja profesionale ka përfunduar dhe se rezultatet do të bëhen publike nesër në një konferencë për shtyp, së bashku me mjekët që morën pjesë në këtë mbikëqyrje. S.M. nga Strumica mbeti e paralizuar pasi lindi me prerje cezariane në spitalin e Shtipit.
