Donald Trump e ka përfshirë sërish çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti i SHBA-së e renditi atë mes tetë konflikteve ndërkombëtare që, sipas tij, janë përfunduar ose parandaluar gjatë mandatit të tij.
Të lidhura
None found
Përpara udhëheqësve botërorë, Trump deklaroi se vendosja e paqes në këto rajone të nxehta përbën një “nder të madh” për administratën e tij. Ai theksoi se liderët e vendeve përkatëse i kanë vlerësuar drejtpërdrejt përpjekjet e Uashingtonit.
Mes rasteve ku diplomacia e tij, sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, shmangu përshkallëzimin dhe solli stabilitet, ishte edhe përplasja Serbi-Kosovë. Në këtë mënyrë, ai e vendosi Ballkanin Perëndimor përkrah disa prej krizave të tjera të mëdha në botë.
Trump tha se angazhimi i tij në këto çështje kishte lënë përshtypje te drejtuesit e përfshirë.
“Pothuajse secili prej këtyre vendeve më shkroi një letër falënderimi,” u shpreh Trump në OKB.
Presidenti amerikan shtoi se kryeministri i Pakistanit i kishte pohuar personalisht se ndërhyrja e tij diplomatike në atë rajon kishte shpëtuar më shumë se 30 milionë jetë njerëzish.
Në listën e konflikteve që Trump pretendon se ka zgjidhur gjatë mandatit të tij bëjnë pjesë:
Serbi – Kosovë
Izrael – Hamas
Izrael – Iran
Egjipt – Etiopi
Indi – Pakistan
Ruandë – Kongo
Armeni – Azerbajxhan
Kamboxhia – Tajlandë
