Përplasja e gjatë mes Jemenit dhe Arabisë Saudite ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi.
Të lidhura
None found
Përmes një deklarate, zëdhënësi ushtarak i rebelëve Huthi njoftoi se drejt “zonave tejet të ndjeshme” të Arabisë Saudite janë hedhur “një numër i madh raketash balistike, raketash lundrimi dronësh reaktivë”.
Objektivat e sulmeve ishin kryeqyteti Riad dhe qyteti bregdetar i Yanbu-së, ku gjenden instalacionet kryesore të kompanisë shtetërore saudite të naftës dhe gazit, “Aramco”.
Huthit deklaruan se aksioni ishte një “përgjigje ndaj krimeve dhe 300 sulmeve ajrore” të kryera nga sauditët gjatë javës së kaluar kundër kryeqytetit jemenas, Sanaa.
Pranë aeroportit ndërkombëtar të Riadit, nga rezervuarët e karburantit u ngritën re të dendura tymi të zi, ndërsa autoritetet vendosën masat më të larta të sigurisë.
Pas muajsh qetësie, sirenat e mbrojtjes ajrore u dëgjuan sërish në kryeqytetin saudit. Në të njëjtën kohë, qytetarëve iu kërkua zyrtarisht të mos dilnin nga banesat.
Autoritetet e Arabisë Saudite nuk kanë dhënë ende një reagim, duke mos bërë të ditur as përmasat e dëmeve dhe as efektivitetin e sistemeve të mbrojtjes “Patriot”.
Në terren, luftimet e forta të zhvilluara këtë të shtunë mes rebelëve dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite kanë shkaktuar të paktën 48 viktima brenda 24 orëve. Përshkallëzimi i fundit e ka përkeqësuar më tej situatën humanitare.
