Granit Xhaka ka hedhur poshtë akuzat se ka siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19, çështje për të cilën autoritetet zvicerane kanë nisur hetime.
Të lidhura
None found
Përfaqësuesi i mesfushorit të Sunderlandit, Andreas Bantel, tha se Xhaka po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe është tërësisht transparent. Sipas tij, mjeku i Xhakës ka konfirmuar se ai është vaksinuar për herë të parë më 25 janar 2022 dhe për herë të dytë më 11 nëntor 2022.
Prokuroria Publike e Lucernit po heton një mjeke, ordinanca e së cilës u bastis nga policia në vitin 2023 nën dyshimin se ajo kishte lëshuar certifikata të rreme të COVID-19 për disa persona. Autoritetet po verifikojnë nëse Xhaka ishte mes atyre që morën certifikatë pa u vaksinuar.
Avokati i mjekes, Cornel Borbely, ka deklaruar se klientja e tij thotë se e ka vaksinuar Xhakën. Mesfushori pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane, potencialisht në fillim të tetorit.
Xhaka u transferua te Sunderlandi nga Bayer Leverkusen në korrik të vitit 2025. Më herët, mesfushori zviceran kishte luajtur për Arsenalin. /Telegrafi/
