Banesa e kardinalit 97-vjeçar shqiptar Ernest Simoni, në Piazza Duomo të Firences, është grabitur ndërsa ai ndodhej në Londër për një takim zyrtar me Mbretin Charles III. Hajdutët hynë në apartament pasi dëmtuan një pjesë të murit dhe çelën derën e blinduar me dalta, duke marrë sende me vlerë mbi 30 mijë euro.
Në momentin e grabitjes, shtëpia ku kardinali jeton së bashku me nipin e tij, Tonin Simoni, nuk kishte asnjë person brenda. Familjarët u larguan rreth orës 13:00 dhe u kthyen në orën 23:00, kur gjetën banesën të përmbysur, me sirtarë të hapur, valixhe të shqyera dhe daltat e lëna në korridor nga autorët.
Të lidhura
None found
Grabitësit morën para, bizhuteri prej ari, medalje dhe një vulë të çmuar. Mes sendeve të vjedhura ishte edhe leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni, një detaj që ka ngjallur dyshime te hetuesit.
Tonin Simoni deklaroi se familja mund të jetë mbajtur nën vëzhgim. “Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë. Mendonim se ishim të sigurt. Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin… Jam i bindur se na kishin vëzhguar, e dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi. Vjedhja e lejes së qëndrimit është e çuditshme; nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë.”
Policia shkencore dhe karabinierët kanë marrë për ekzaminim kamerat e shumta të sigurisë të vendosura në Piazza Duomo, e cilësuar si një nga zonat më të monitoruara të qytetit. Megjithatë, mbetet e paqartë se si askush në ndërtesë, përfshirë priftin që jeton një kat më poshtë, nuk dëgjoi zhurmën e shembjes së murit.
